Banka Botërore sugjeron uljen e kontributit vullnetar për të zgjeruar pjesëmarrjen
Pagesat e larta dhe rritja automatike me pagën minimale po dekurajojnë emigrantët dhe grupet e cenueshme nga skema vullnetare e pensioneve, vlerëson Banka Botërore.
Kontributet e larta po kufizojnë përfshirjen
Një pjesë e madhe e shqiptarëve, si ata që jetojnë brenda vendit ashtu edhe emigrantët, nuk marrin pjesë në skemën vullnetare të pensioneve për shkak të nivelit të lartë të kontributit minimal. Sipas ligjit aktual të sigurimeve shoqërore, kontributi minimal vullnetar është 21.6 për qind e pagës minimale, ndërsa përfitimi i pensionit kërkon të paktën 15 vite kontribute. Shumica e kontribuuesve zgjedhin pagesën minimale, e cila rritet automatikisht sa herë rritet paga minimale në ekonomi.
Emigrantët më të prekur nga rritjet e pagës minimale
Në studimin “Përmirësimi i Sigurimeve Shoqërore për Emigrantët: Mësime nga Shqipëria”, Banka Botërore vëren se rritjet e shpeshta dhe shpesh të paparashikueshme të pagës minimale e bëjnë të vështirë vazhdimin e kontributeve, veçanërisht për emigrantët me të ardhura të paqëndrueshme ose sezonale. Ky faktor ul ndjeshëm interesin për skemën vullnetare dhe kufizon mbulimin social të kësaj kategorie.
Nevoja për rishikim të pragut minimal
Banka Botërore rekomandon që të analizohet aftësia për të kursyer dhe gatishmëria për të kontribuar, për të kuptuar nëse ulja e kontributit minimal ose ndryshimi i rregullave për përfitimin e pensionit do të rriste përfshirjen e emigrantëve dhe grupeve të tjera të cenueshme. Sipas institucionit, këto ndryshime do ta bënin skemën më të përshtatshme me realitetin demografik dhe migrator të vendit.
Digjitalizimi si zgjidhje praktike
Një problem tjetër i evidentuar është barra burokratike në pagesën e kontributeve vullnetare. Aktualisht kërkohet paraqitje fizike të paktën një herë në vit në zyrat e ISSH-së dhe bankat përkatëse, çka krijon vështirësi për emigrantët. Banka Botërore sugjeron investime më të mëdha në digjitalizim, përmes integrimit të pagesave online dhe aplikacioneve digjitale, duke eliminuar nevojën për procedura fizike.
Pagesa ndërkufitare dhe praktika europiane
Zgjerimi i opsioneve të pagesave ndërkufitare, përmes bashkëpunimit me banka në vendet ku jetojnë emigrantët shqiptarë, do të lehtësonte kontributet në distancë dhe do të rriste pjesëmarrjen. Sipas Bankës Botërore, praktikat e disa vendeve europiane, ku ekziston një pikë e vetme aksesimi, kontribute të automatizuara dhe transparencë e plotë mbi përfitimet, mund të shërbejnë si model për reformimin e skemës shqiptare.